Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka shpallur sot rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024), raporton Ekonomia Online.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka njoftuar se zyrtarisht janë regjistruar 1,602,515 milionë banorë.
“Vlerësohet se i gjithë projekti është vlerësuar në nivelin më të lartë. 93 për qind e banesave/ shtëpi janë me pronar dhe shumë pak janë me qira. Është rritur numri i ekonomive familjare për 69,505. Hendeku gjinor është zvogëluar nga 11,975 në vitin 2011 në 5,538 në vitin 2024, që përfaqëson një zvogëlim prej 53.8%. Mosha mesatare e popullsisë është 34.84. Kosova është vendi i dytë në Evropë me popullsi të re, është mbetur për t’u vërtetuar. Ulja e shkallës së analfabetizmit nga 3.85% në 2.27%”, tha Kastrati.
Ai ka njoftuar se nga dëmet e luftës janë të prekura gjithsej 154,272 ekonomi familjare.
“Nga dëmet e luftës, gjithsej ekonomi familjarë të prekura janë 154,272. Dëmet vetëm në ekonomi familjare, jo në institucione, është vlerësuar mbi 5 miliard euro. Dëmet e luftës në njerëz, të vrarë 11, 417, të zhdukur 1,047”, tha ai.
“Të dhënat për diasporën nuk i kemi publikuar sepse procesi vazhdon edhe këtë muaj. Në pjesën veriore të Kosovës është regjistruar një pjesë e popullsisë, kjo si shkak i politikës. Zyrtarisht janë 1,602,515 milion banor”,tha Kastrati.