Simboli i shqiponjës dykrenare që bëhet si mënyrë e festimit, vazhdon të jetë ende problem në ambientet sportive.
Gjatë kampionatit botëror bëri jehonë festimi i Xhakës e Shaqirit me gjestin e shqiponjës kundër Serbisë, ndërsa tani gjesti i tillë u përfol sërish në botën e futbollit, gjegjësisht në eliminatore të kampionatit botëror për femra, transmeton Klan Kosova.
Kosovare Asllani, futbolliste me orgjinë shqiptare që luan për përfaqësuesen e Suedisë, zgjodhi këtë mënyrë festimi mbrëmë kur shënoi golin e 3-të për fitoren 3-0 përballë Ukrainës.
Gjesti ka bërë jo pak zhurmë edhe në mediat në Suedi, dhe në lidhje më këtë Asllani sqaroi përmes një deklarate:
“Gjesti është një shenjë falënderimi dhe respekti për Kosovën, vendi nga e kam unë origjinën. Kjo nuk ka asnjë lidhje me politikën, unë doja gjithashtu të përshëndesja nipin tim nëpërmjet atij gjesti, diçka krejtësisht spontane, jo e planifikuar. E përsëris edhe një herë që nuk ka lidhje me politikën, madje më habit fakti që mediat e konsiderojnë diçka politike”, u shpreh ajo.
Ndërsa kur Kosovaren e pyetën nëse i trembet faktit që mund të gjobitet, ajo u përgjigj duke qeshur: “Le ta mbajnë rrogën time, pa problem”.