Sogojeva: Ankesa më së shumti ka për kompanitë e marketingut të drejtpërdrejtë, gjobat deri në 40 mijë euro

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku ka thënë se ankesat që vijnë më së shumti nga qytetarët janë ato lidhur me thirrjet që pranojnë nga kompani të ndryshme për të reklamuar produktet e tyre.

Ajo në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se kjo gjë u ndodh shumë qytetarëve në Kosovë.

“Në bazë të ankesave që kemi, kryesisht ankesat janë për marketingun e drejtpërdrejtë, ku kompanitë dhe operatorët e ndryshëm dërgojnë mesazhe apo bëjnë edhe thirrje telefonike për të shitur produktet e tyre. Kjo na ka ndodhur të gjithëve”, deklaroi ajo.

Më tutje, Sogojeva tha se ankesa ka edhe për video-vëzhgimet që bëhen në hapësirat publike në Kosovë.

“Poashtui kemi ankesa edhe në raport me video vëzhgimet që bëhen në hapësirat publike e të cilat ka rregulla se si, dhe ku duhet të vendosen këto kamera. Prandaj qytetarët duhet ta dinë se dhënia e të dhënave të tyre personale duhet të jepen vetëm me pëlqimin e tyre. Të dhënat e tyre nuk mund të përdoren nga asnjë operator e asnjë institucion”, ka thënë ajo.

Lidhur me dënimet që shqiptohen ndaj këtyre kompanive, ajo tha se shkojnë deri në 40 mijë euro ose marrja e 4% të qarkullimit vjetor të kompanisë.

“Agjencia në bazë të autorizimeve ligjore dhe mandatit të saj, është institucion që vë dhe shqipton gjoba dhe këto gjoba nuk janë fare të lehtë. Fillojnë me 20 mijë euro apo 40 mijë euro apo 4% të qarkullimit vjetor të kompanisë”, tha Sogojeva.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme