Më 5 shtator 2018, ka hyrë në fuqi Ligji i ri për trajtimin ndërtimeve pa leje, në Republikën e Kosovës. Por, gati dhjetë muaj pas, ende nuk është bërë asnjë legalizim, pasi që mungojnë disa udhëzime administrative të cilat e kompletojnë këtë ligj.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kanë konfirmuar se procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, sipas ligjit të ri, ende nuk ka filluar.
Në një përgjigje me shkrim, në MMPH kanë thënë se janë në fazën përfundimtare të kompletimit të bazës ligjore, që i hapë rrugë fillimit të këtij procesi. Sipas përgjigjes, “pesë udhëzime administrative janë në procedurat finale për miratim” nga ministri i këtij dikasteri qeveritar, Fatmir Matoshi.
“Procesi i legalizimit sipas Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje akoma nuk ka filluar, dhe aktualisht nuk kemi aplikime nga qytetarët për ndërtimet e tyre pa leje. Me kompletimin e bazës ligjore, ky proces do të rifillojë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Nuk mund të flasim tani për numrin e ndërtimeve pa leje, pos atyre të publikuara nga procesi i kaluar i legalizimit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Arkitekti Arbër Sadiki, tha për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë sesi ministria ende nuk e ka kompletuar bazën ligjore me udhëzime administrative dhe rregullore për të rinisur procesin e legalizimit.
“Është e pakuptimtë që një ligj të mos mund të fillojë implementimi i tij, kur hartimi i ligjit është shumë më i vështirë, në kuptimin profesional, sesa nxjerrja e dy-tri rregulloreve të cilat e bëjnë të zbatueshëm atë. Po bëhet pothuajse një vit që kur kaloi ligji dhe nuk ka akoma një rregullore që e bën atë të zbatueshëm, të paktën për ata që kanë shprehur interesim, është vërtetë një detyrë të cilën nuk e ka përmbushur ministria gjegjëse e cila është dashur t’i nxjerrë rregulloret për ta bërë të zbatueshëm ligjin”, tha arkitekti Sadiki.