“Asnjë vendi kandidat për KiE nuk i janë kërkuar më shumë reforma se Kosovës”, në Serbi sulmojnë Bakoyannis dhe e quajnë të turpshëm raportin e saj

Prishtinë | 02 Maj 2024 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka sulmuar raportuesen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës , Dora Bakoyannis, pas deklaratës së djeshme, ku ajo duke përmendur rastin e Kosovës tha se asnjë anëtari kandidat nuk i është kërkuar ndonjëherë të ndërmarrë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim mbi anëtarësimin e tij në KiE.

“Turp të kesh Dora Bakoyannis! Nuk e dimë se çfarë është më keq, qoftë raporti yt skandaloz apo gjithçka që thua në mbrojtje të të ashtuquajturës Kosovë”, ka thënë Petkoviq në një postim në platformën X.

Ai e ka cilësuar të turpshëm raportin e saj, duke pretenduar se aty nuk flitet për shkeljen e të drejtave të serbëve dhe as Asociacionin.

“Ju përmendni gjoja reformat e shumta që i janë imponuar të ashtuquajturës Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk keni thënë asnjë fjalë se Prishtina nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serve për 11 vjet, se çdo ditë arreston dhe rrah serbët, se Prishtina ndalon shitjen e mallrave serbe për 10 muaj, heq dinarin dhe ndalon pagat dhe pensionet për serbët, kryen spastrim etnik të serbëve, kryen dhunë institucionale, imponon kryetarë të rremë komunash në veri dhe vjedh pronat serbe. … Kjo nuk është në raportin tuaj të turpshëm”, shkroi Petkoviq.

Të ngjashme