Minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e gjashtë të grevës.
Që nga e enjtja e javës së kaluar minatorët e Trepçës janë grevë, shkruan lajmi.net.
Përmes kësaj greve po kërkojnë rritje të pagave prej 20 për qind, mospunësim të punëtorëve të rinj pa konkurs, takim të menjëhershëm me Bordin e minatorëve, si dhe përmbushjen e kërkesave të tyre të bëra më parë.
Edhe pse në ditën e gjashtë të grevës, ata asnjë përfaqësues institucionalë deri më tani nuk i ka takuar.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë për lajmi.net, se ka planifikuar takim me minatorët, por që akoma nuk e di se kur do të zhvillohet ky takim.
Lluka ka thënë se ky takim mund të zhvillohet sot pasdite ose më së largu nesër në mëngjes.
Sot ose nesër do t’i takojë minatorët. Do të bëj përpjekje që t’i takojë sot mirëpo nëse nuk mundem sot, nesër në mëngjes do t’i takojë. Jemi në bisedime e në diskutime dhe ata e kanë shprehur gatishmërinë që të takohemi”, ka thënë Lluka për lajmi.net.
Tutje ministri ka thënë se pas takimeve me minatorët do të tregojë se çfarë është diskutuar në këtë takim dhe çfarë rezultate do të sjellë ky takim.
Në anën tjetër, Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, ka thënë për lajmi.net, se që nga e enjtja askush nuk iu ka ofruar ndonjë zgjidhje madje as Bordi i Trepçës.
“Deri më tani askush nuk na ka ofruar ndonjë zgjidhje në lidhje me kërkesat tona dhe ne jemi në pritje. Bordi nuk iu është përgjigjur kërkesave të grevistëve”, deklaroi Sadiku, i cili shtoi se nesër pritet që këshilli grevist të vendos për veprimet e tjera.
Sipas tij, çfarëdo veprimi që do të ndërmarrë këshilli grevist, kjo sindikatë do ta përkrahë atë vendim.
“Ende nuk kemi marrë ndonjë vendim se çfarë do të bëjmë si do të veprojmë mirëpo, mendoj se nesër këshilli grevistë do të marrë vendime të tjera, por çfarëdo veprime që të ndërmarrin ne si sindikatë do t’i përkrahim”, deklaroi Sadiku.