Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK, paska thënë, ta pranojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si koncesion të fundit dhe me demek ta heqim qafe Serbinë. “Të gëlltisim këtë koncesion të fundit për hir të mbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”!
Nuk shihet këtu askund Presheva, Medvegja e Bujanovci! Reciprociteti!
Thua ti se kështu po u mbyllkan punët me Serbinë!
Shasha, se si ma kujtoi një profesor (shumë i njohur në fushën e vet) i cili në vitin 1989 thoshte, t’i pranojmë amandamentet në Kushtetutën e Serbisë (me të cilat suprimohej autonomia e atëhershme e Kosovës dhe statusi i saj konstituiv i federatës), si koncesion, për hirë të “vëllëzërve” serbë! Pra, t’i mbyllim punët me Serbinë!
Shasha dhe të tjerë me gjasë nuk e kanë të qartë se asociacioni njënacional, për serbët, në çfarëdo forme që të jetë, është veç “blerje e kohës” dhe zvarritje e problemit që herëdo kurdo çon te “Hasha”: te kufijtë!
Marrëveshja e Ahtisarit, u pranua vetëm me faktin e pavarësisë së Kosovës por me shumë defekte në emër të “koncesioneve” me Serbinë e pa Serbinë, për të kënaqur serbët!
Serbia, cilado qoftë ajo, e Vuçiqit, e Millosheviqit a kujtdo tjetër, nuk kënaqen me këso koncesione e kompromise. Ata kënaqen vetëm kur i dëbojnë e zhdukin shqiptarët, herë përnjëherë, e herë pak nga pak.
Kështu është politika e Serbisë, pa asnjë ndryshim, që nga 1878 e deri sot.
Dhe kështu do të vazhdojë derisa të kthjellemi ne dhe të punojmë e të luftojmë për interesat tona, përfshirë edhe gjysmën e territorit të sotëm të Serbisë, tokë e shqiptarëve e grabitur nga Serbia.
Por kjo don punë, mençuri, dije, guxim e bashkim politik. Pa ankesa, pa viktimizime!
Dhe miq, aleatë e partnerë politikë!
Ende nuk e kemi definuar qartë çka dojmë e kah duam të shkojmë as në bisedimet aktuale me Serbinë.
Po vonohemi vazhdimisht, edhe tani kur jemi e kemi shtet.
Kush na ka faj pse nuk kemi dhe nuk e bëmë as në këto 20 vite një program kombëtar?!
Pak retrospektivë.
Pa shkuar më larg në kohë se nga 1945, kur Serbia e aneksoi Kosovën, vazhdimisht Serbia e Jugosllavia kanë folë për serbët, se si janë keq në Kosovë, se si po vuajnë nga shqiptarët përderisa serbët e kishin tërë pushtetin real edhe në Kosovë deri më 1975.
Që nga 1981 deri 1989, Serbia dhe tërë Jugosllavia kanë folë vetëm për pozitën e serbëve në Kosovë, se si ata po vuajnë nga shqiptarët, se si shqiptarët po u bëjnë presion për shpërngulje etj. etj. derisa Serbia e aneksoi për herë të dytë dhe e okupoi Kosovën më 1989, me ndryshimet kushtetuese të atij viti.
Pastaj bota, në vitet 90-ta filloi pak nga pak të flasë për shqiptarët, derisa mori vendim më 1999 për ndërhyrje të NATO-s kundër forcave ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë që rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.
Dhe prapë, që nga 1999 e deri sot, 2021, Kosova, Serbia, tani edhe BE-ja, etj, flasin për serbët, se si janë keq në Kosovë, si po vuajnë nga shqiptarët etj.etj. ani pse serbët në Kosovë kanë status të cilin askush në Evropë nuk e ka për një komunitet pakicë. Në fakt, nuk janë as kanë qenë asnjëherë në pyetje serbët që jetojnë në Kosovë.
Tani, edhe kur Kosova është e pavarur, Serbia don “koncesione” e kompromise për Serbinë, për shtrirje dhe sovranitet të saj në territorin e Kosovës. Modeli është Asociacioni i komunave me shumicë serbe për ndarje “institucionale” të sovranitetit si paravan i ndarjes edhe territoriale.
Por problemi duhet të zgjidhet. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka emëruar përfaqësues të tij në Ballkan njerëzit e “luftës”. Ata që fuqishëm kanë qenë pjesë e zgjidhjes së konflikteve para 20-30 viteve në ish-Jugosllavi.
Temën se “sa keq” janë serbët në Kosovë duhet ta heqim definitivisht dhe përgjithmonë nga fjalori, nga bisedat e bisedimet politike.
Në fakt, duhet të heqim definitivisht ndikimin e Serbisë në sovranitetin e Kosovës.
A do të dalë puna te Shasha apo te “Hasha” ose krejt dikund tjetër, do të shihet shpejt por mençuri dhe interes është t’i paraprijmë zgjidhjes së problemit.