Deklaratat dhe lëvizjet e Ambasadorit Amerikan japin sinjale të forta
A janë zgjedhjet e parakohshme të pashmangshme? Kjo deklaratë “e ashpër” jodiplomatike e Ambasadorit Amerikan dje mund të jetë indikacioni më serioz deri më tani që mund të kemi, megjithatë, zgjedhje të parakohshme. Pse? Për shkak se Albin Kurti nuk dëshiron me dërgu në kushtetuese, sidomos jo verzionin aktual të asociacionit, dhe kjo mund të krijoj një krizë politike.
Kjo kërkesë direkte publike e Hovenier për Kurtin, kur i bashkangjet edhe takimet e tij me Lumir Adixhikun i cili po refuzon me bashkëpunu rreth zgjedhjeve të parakohshme, dhe takimi pastaj me Presidentën Osmani e cila gjithashtu ka rol rreth datës së zgjedhjeve, e kompleton fotografinë. Edhe mostakimi publik me AAK e Haradinaj ka porosinë e saj.
Ambasadori Hovenier për disa orë të ditës së enjte i ka bërë 3-4 veprime të theksuara që mund të kenë lidhje me zgjedhjet e parakohshme:
Veprimi 1: Kërkesa publike për Kurtin me dërgu statutin e asociacionit në Kushtetuese. Kjo e rritë presionin jashtëzakonisht, përfshi atë kohor tek Qeveria dhe Albin Kurti, dhe mund të krijoj një krizë politike që vetëm zgjedhjet e zgjidhin. Kjo kërkesë kaq e direkte nuk është bërë rastësisht. Janë fjalë dhe tema të zgjedhura me shumë kujdes që kanë shumë efekte në skenën politike aktualisht.
Veprimi 2: Takimi me LDK-në. Kjo parti është e rëndësishme me u pajtu për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por jo esenciale. Takimi me kryetarin e LDK-së mund të jetë përdorur për t’i dëgjuar “shqetësimet” dhe për t’iu rekomanduar në formë “të butë” që me e rishqyrtu qëndrimin apo me modifiku edhe zbutë deri në atë masë saqë ata nuk bëhen një pengesë.
Veprimi 3: Takimi me Presidenten është mbajtur menjëherë pas takimit me LDK. Pasi që pozicionet e VV dhe PDK dihen, ambasadori pas takimit me LDK shkoj menjëherë tek presidentja. Zgjedhjet e parakohshme kanë nevojë edhe për përkrahjen e Vjosa Osmani.. por pozita e saj me Kurtin dhe VV po zbehet, andaj, ajo mund të mos jetë shumë bashkëpunuese në këtë rast. Kjo tregon që Ambasadori ka takuar kryesisht politikanë që janë pengesë për zgjedhje dhe ndoshta edhe mund të ketë gjetur rrugë kreative dhe alternative që i kënaqin edhe palët e pakënaqura.
Veprimi 4: Komunikimi me qytetarët përmes RTK. Ky ishte veprimi i fundit publik i z. Hovenier. Ai e përdori një ndër mediume më me ndikim me kërku avancim me asociacion dhe me qortu qeverinë rreth veprimeve të pakordinuara rreth veriut. Këto dy tema mund të lidhen me zgjedhje të parakohshme. E para për shkak se Kurtit i duhen zgjedhje të reja dhe nje apo më shumë partnerë në koalicion për me lëvizë me asociacion. Përndryshe kjo urgjencë në kërkesë mund të krijoj krizën diplomatike dhe politike që vetëm zgjedhjet e parakohshnme e ‘rregullojnë’.
Mosverpimi 5: Nuk kishte takim me AAK. Ditët e para gjatë javës ishte AAK ajo e cili thujase kishte celsin për zgjedhje, pasiqë nëse ajo pajtohej mund të shkonim në zgjedhje. Por AAK e rikonfirmoj dhe e forcoj pozicionin e saj kundër zgjedhjeve si VV e PDK dëshirojnë të shkojnë. A nënkupton kjo që AAK po e shfrytëzon rastin për me ngritë pazarin e tyre? Ndoshta po, për shkak se AAK në disa raste më herët ka ndryshuar qëndrimet mvarësisht nga benefitet që ka marrë, andaj nuk do të ishte befarsi që përsëri të zbusë dhe modifikoj qëndrimin…përndryshe Ambasadori Amerikan ishte dashur të i takoj gjithashtu liderin e AAK për me kry punën e tij si duhet.
Koordinimi dhe fushata e ambasadorëve kryesor të huaj në Kosovë dje e ka një qëllim, nuk është bërë pa arsye. Aktualisht nuk ka asgjë më të ‘nxehtë’ sesa punë e zgjedhjeve. Sigurisht që Asociacionin është mjeti por edhe arsyeja. Por nëse vetëm 50% e këtyre argumenteve qëndrojnë, zgjedhje mund të kemi.
E si do të arrihen ato? Ndoshta sikur gjithmonë më parë: Ambasadorët Amerikan ju zbusin dhe modifikojnë qëndrimet partive kosovare kur ato bëhen ‘kokëforta’. Fundja a do të lëvizte PDK më afër VV dhe Kurtit në Darkën e Gardenit pa një ‘konsultim’ dhe ‘bashkërendim’ me SHBA? Nuk besoj. Kjo na bënë me spekulu që lëvizjet e Ambasadorit Hovenier dhe atyre të qendrave europiane ishin në lidhje me zgjedhjet e parakohshme dhe ato tashmë mund të konkretizohen.