Astana mund të zbarkojë në Kosovë pa futbollistët e saj serbë dhe rusë.
Klubi nga Kazakistani do ta zhvillojë të enjten ndeshjen e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës kundër Ballkanit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Por, ky klub mund të mbërrijë në Prishtinë pa disa prej lojtarëve të rëndësishëm.
Këtë e ka bërë të ditur trajneri i ekipit, Grigory Babayan, shkruan “Gazeta Express”.
“E kemi një rrugë të vështirë përpara, do ta kemi një ndeshje me Ballkanin. Kemi probleme me fluturimin çarter. Siç e dinë të gjithë, Kosova është një shtet që nuk njihet nga Kazakistani dhe kështu me radhë. Ka vështirësi me hyrjen e lojtarëve rusë dhe serbë, do të shohim se si do ta zgjidhim këtë. Ne duhet ta rregullojmë logjistikën dhe të rikuperohemi sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi trajneri i Astanas për uebfaqen zyrtare të klubit.
Ballkani dhe Astana do të përballen mes vete të enjten në Prishtinë duke filluar nga ora 18:45.
Aktualisht, kampioni kosovar e sheh veten në pozitën e dytë në Grupin C me 3 pikë pas dy ndeshjesh të zhvilluara, kurse Astana është e fundit pa pikë.