Kompania “AstraZeneca” tha të enjten se të dhënat preliminare nga një testim treguan se vaksina e saj kundër Covid-19, ka krijuar rritje të antitrupave kundër variantit Omicron dhe varianteve të tjera, kur është dhënë si dozë e tretë.
Reagimi i shtuar, gjithashtu edhe ndaj variantit Delta, u vërejt në analizën e gjakut të njerëzve që më parë e kanë marrë vaksinën e kompanisë “AstraZeneca” ose të ndonjë kompanie tjetër, tha prodhuesi, duke shtuar se këto të dhëna do t’i paraqesë te rregullatorët në mbarë botën, duke e marrë parasysh nevojën urgjente për doza përforcuese.
“AstraZeneca” e ka zhvilluar vaksinën me hulumtuesit nga Universiteti i Oksfordit, ndërsa studimet laboratorike që u kryen nga ky universitet muajin e kaluar zbuluan se tri doza të vaksinës së kësaj kompanie e shtojnë nivelin e antitrupave në gjak kundër variantit Omicron, shkruan Reuters.
Deklarata e shkurtër e së enjtes, në të cilën nuk u përmendën të dhëna të saktësuara, ishte e para nga “AstraZeneca” për fuqinë mbrojtëse të vaksinës së saj si dozë përforcuese pas dy dozave tjera, qoftë të vaksinës së saj, qoftë të ndonjë vaksine tjetër me teknologji mRNA, siç është vaksina e kompanisë “Pfizer”.