Doza përforcuese e AstraZenecas është efektive kundër Omicronit

Prishtinë | 23 Dhj 2021 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Vaksinimi me tri doza të kompanisë “AstraZeneca” është efektiv kundër variantit Omicron të koronavirusit, tha vetë kompania të enjten, duke i cituar të dhënat nga një studim laboratorik i Universitetit të Oksfordit.

Studimi, që ende nuk është publikuar në një revistë mjekësore, tregoi se niveli i antitrupave kundër Omicronit pas dozës përforcuese ishte më i lartë te personat e vaksinuar dhe tek ata që janë shëruar në mënyrë natyrale nga Covid-19.

Kompania e njohur tha se pas tri dozave të vaksinës, nivelet neutralizuese kundër Omicronit ishin të ngjashme me ato kundër variantit Delta pas dy dozave, shkruan Reuters.

Prodhuesi anglo-suedez i ilaçeve tha se shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit, të cilët e realizuan studimin, ishin të pavarur nga ata që kanë punuar në zhvillimin e vaksinës.

Ndryshe, Izraeli pritet të bëhet shteti i parë në botë që do ta ofrojë dozën e katërt të vaksinës për punëtorët shëndetësorë, personat mbi 60 vjeç dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, e mirëpriti rekomandimin e një grupi ekspertësh të Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien e dozës së katërt për grupe të caktuara, duke thënë se ky është “një lajm i mrekullueshëm që do të na ndihmojë ta tejkalojmë valën e Omicronit, që është duke u përhapur përreth botës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme