Një studim tregon se personat të cilët nuk i ndërrojnë mjekët – jetojnë më gjatë.
“I kemi pasur 9 vende të ndryshme në 4 kontinente të ndryshme – dhe atë në sisteme të ndryshme shëndetësore. Prandaj mendojmë se nuk bëhet fjalë për ndikimin e mjedisit apo kulturës, por bëhet fjalë për faktorin njeri”, ka thënë dr. Denis Pereira Gray si udhëheqës i hulumtimit të publikuar në revistën BMJ Open.
“Ne besojmë se kjo funksionon në dy mënyra. Pacientët flasin me mjekët të cilët i njohin dhe të cilëve u besojnë edhe kur bëhet fjalë për çështje të pakëndshme. Dhe mjeku gjithashtu ka informacione më të mira dhe mund t’i përshtatë këshillat që ia jep pacientit të caktuar”.
Studimet e mëparshme kanë treguar se pacientët janë më të kënaqur kur një kohë të gjatë shkojnë tek i njëjti mjek i përgjithshëm dhe vazhdimësia e tillë e kujdesit shëndetësor çon në gjasat më të mëdha që t’i ndjekin udhëzimet e mjekut dhe gjasat më të vogla që të përfundojnë në spital.
Për të hulumtuar nëse vazhdimësia e kujdesit shëndetësor ndikon në normën e vdekshmërisë shkencëtarët i studiuan 22 studime që i përfshinë mjekët e përgjithshëm dhe specialistët.
Në 18 studime u konstatua se vazhdimësia më e gjatë e kujdesit shëndetësor u shoqërua me vdekshmëri më të ulët, ndërkohë që në 3 studime nuk u gjet asnjë lidhje. Në njërin studim, të bazuar në numrin e kërkesave për pagesë të sigurimit, u konstatua se vazhdimësia më e gjatë shoqërohet me vdekshmëri më të lartë.
Në të njëjtin studim, të dhënat e marra nga pacientët treguan se vazhdimësia më e gjatë ishte e lidhur me një shkallë më të ulët të vdekshmërisë, përcjell Koha.net. Kjo e thekson marrëdhënien e mjekut dhe pacientit, ndërsa llogaritjet e bazuara në kërkesat e paraqitura për dëmshpërblime e japin vetëm raportin e numrit të kontakteve me mjekun dhe vdekshmërisë, ndërkohë që nuk e masin drejtpërdrejt cilësinë e marrëdhënies.
Duke pasur parasysh variacionet e mëdha në studime, nuk ishte e mundur të kombinohen të dhënat për ta kuantifikuar efektin e përgjithshëm të vazhdimësisë së përmendur në vdekshmëri.
Dr. Gray thekson se deri më tani çështja e vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor është parë si një çështje e komoditetit dhe jo një çështje shëndetësore. Tani po tregohet se bëhet fjalë për një çështje shëndetësore.
Vizitat tek i njëjti mjek në disa vende janë më të vështira, për shembull në sistemet e nacionalizuara shëndetësore. Këtu nuk ekziston problemi i qasjes tek mjeku, por problemi tek i cili mjek mund të shkohet.
Rezultatet e këtij hulumtimi sugjerojnë se sistemet shëndetësore të botës duhet t’i japin prioritet sigurimit të vazhdimësisë së kujdesit shëndetësor, theksojnë autorët.