Ceremonia në kujtim të 10-vjetorit të vrasjes së Alexis Grigoropoulos ka degjeneruar në akte dhune ekstreme. Qindra anarkistë janë përleshur me forcat e rendit në rrugët e Athinës, gjatë së enjtes.
Pasi protestuan në qendër të kryeqytetit helen, anarkistët u grumbulluan në vendin ku 10 vite më parë, agjenti i policisë Epaminondas Korkoneas qëlloi me dy plumba 16-vjeçarin Grigoropoulos, duke e lënë të vdekur në vend.
Grupe anarkiste nisën një valë sulmesh me gurë dhe kokteje molotovi, pasi hodhën parulla kundër dhunës shtetërore, duke “e ndezur” të gjithë zonën.
Policia, nga ana e saj, përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për t’i shpërndarë, por anarkistët ishin të mirorganizuar dhe sulmonin nga të gjitha drejtimet, madje edhe nga tarracat e pallateve. Katër automjete u dogjën plotësisht, ndërsa automjete me dëmtime të pjesshme llogariten me dhjetëra.
Shumë godina dhe vitrina dyqanesh në lagjen rebele “Eksarqia” janë dëmtuar rëndë, ndërsa një bombë molotovi e hedhur gabimisht, për pak i vuri flakën një banese në një pallat në rrugën “Sturnari”.
Policia njoftoi se, deri në orët e mbrëmjes kishte ndaluar më shumë se 45 persona të dyshuar si pjesëmarrës në sulmet kundër forcave të saj, por ende nuk dihet sesa prej tyre do të arrestohen dhe sa do të lirohen.
Me herët, e ëma e Alexis Grigoropoulos bëri apel për qetësi dhe mospërdorimin e dhunës. Përleshje të ngjashme u shënuan edhe në protestën e zhvilluar në Selanik.