Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, me bashkëpunëtorët e tij, sot priti në takim Drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e deritashëm si dhe thellimin e bashkëpunimit mes ATK-së dhe AKP-së, me qëllim të rritjes së efikasitetit gjatë proceseve të punës.
Drejtuesit e këtyre dy institucioneve e vlerësuan lart bashkëpunimin e deritashëm, në funksion të zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve, zhvillimit të procedurave adekuate ligjore, në trajtimin e kërkesave për lirimin dhe transferimin e barrës tatimore të ndërmarrjeve shoqërore (NSh), nga regjistri i pasurive kadastrale në llogarinë e fondit të mirëbesimit, ofrimin e të dhënave për shitjen e pasurive të ndërmarrjeve shoqërore (NSh), si dhe shlyerjen e borxheve tatimore të ndërmarrjeve që janë nën autoritetin e AKP-së.
Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në ruajtjen dhe rritjen e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të transparencës dhe efektivitetit të shërbimeve, zbatim të barabartë dhe të njëtrajtshëm të ligjit, si dhe një angazhim për kushte më të mira për veprimtarinë e përmbushjes tatimore.