ATK-ja mbyll 22 lokale të lojërave të fatit

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 11:18 | Nga

Drejtoria e Lojërave të Fatit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në vazhdimësi është duke monitoruar subjektet të cilat merren me lojërat e fatit, në mënyrë që aktivitetet e tyre të jenë brenda kornizave të përcaktuara me Ligjin për Lojërat e Fatit.

Siç njofton ATK-ja, fillimi i vitit 2017 ka nisur me një strategji, e cila nuk do t’ju lë hapësirë shkelësve të ligjit.

“Në këtë mënyrë dje është zhvilluar edhe një tjetër aksion, në bazë të informatave të pranuara nga qytetarët, nga i cili ka rezultuar me konfiskimin e 6 aparateve, 2 shtëpiza të lojërave elektronike lacky six dhe një pajisje e pa identifikuar. Po ashtu, janë mbyllur 3 lokale”, njoftojnë zyrtarët e ATK-së, raporton Ekonomia Online.

Aksioni është udhëhequr nga Administrata Tatimore, e mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.

“Administrata Tatimore e Kosovës vetëm gjatë muajit janar të vitit 2017 nga aksionet e zhvilluara ka mbyllur 22 lokale të subjekteve të lojërave të fatit, të cilat veprimtarinë e tyre nuk e kanë pasur në përputhje me ligjin përkatës”, theksojnë zyrtarët e ATK-së.

ATK, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme