ATK-ja rimbursoi miliona euro për qytetarët, edhe sa do të zgjasë kampanja?

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 13:29 | Nga

Vendimi i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për t’i shpërblyer me para të gjithë qytetarët që grumbullojnë kuponët fiskalë nga blerja e produkteve, u mirëprit nga qytetarët.

Interesimi i madh i qytetarëve për t’u rimbursuar në çdo tremujor nga ky institucion, i ndihmoi shtetit për “luftimin” e bizneseve që nuk posedonin arkë fiskale. Dëshmia se pas çdo shitjeje konsumatorit duhet t’i jepet kuponi fiskal për mallin apo shërbimin e paguar, bëri që qytetarët të kërkojnë te secili biznes kuponin fiskal.

Kampanja arriti efektin e pritur, por në të njëjtën kohë edhe i stimuloi qytetarët me nga 10-20 euro, për çdo tre muaj.

Që nga prilli i vitit 2015 ATK-së rimbursimi i ka kushtuar 10,374,190 euro, saktësisht deri më tani janë rimbursuar 575,620 qytetarë.

“Administrata Tatimore e Kosovës konsideron se ka arritur të përcjellë mesazhin te çdo familje, për qëllimin e kësaj kampanje. Për këtë parametër matës marrim interesimin jashtëzakonisht të madh të qytetarëve për të aplikuar për rimbursim nga kuponët fiskalë.

Që nga fillimi i kësaj kampanje e deri më tani kemi rimbursuar 575,620 qytetarë, me 10,374,190 euro. Shifrat që i përmendëm kanë tejkaluar pritshmëritë tona”, bën të ditur për Gazetën Express, Valentina Bytyqi – Sefa, nga zyra për komunikim me publikun në ATK.

Trendi pozitiv i kësaj kampanje po rritet vazhdimisht krahasuar me tremujorët e parë të rimbursimit.

“Çdo periudhë nëse e krahasojmë, shohim rritje të vazhdueshme të interesimit, diçka që ka dhënë rezultatin e vet në procesin e fiskalizimit për çka edhe është nisur kjo kampanjë”, shton më tutje Bytyqi-Sefa.

Express ka pyetur ATK-në në rast të ndërprerjes së mundshme të rimbursimit apo ndryshimit të kësaj kampanje, me ç’rast Bytyqi-Sefa ka bërë të ditur se për të vazhduar kampanja si e tillë Administratës Tatimore i duhen fonde shtesë, si dhe resurse njerëzore.

“Në fakt nëse do të kishim resurse shtesë sigurisht që ata do të ishin pjesë operative, të cilët do të kryenin punë direkt me tatimpaguesit pa pasur nevojë për kampanja si kjo, mirëpo në pamundësi të kësaj ne jemi munduar që të gjejmë mënyrën më të mirë për t’i ndihmuar procesit të fiskalizimit”, sqaron Bytyqi-Sefa.

Procesi i fiskalizimit është proces permanent, i cili ndërlidhet me paraqitjen e bizneseve të reja në treg (regjistrimin e tyre), si dhe daljen nga tregu të atyre ekzistueseve (ndërprerjen e veprimtarisë apo heqjen dorë nga mënyra e shitjes me para të gatshme).

Projekti i fiskalizimit është vetëm një nga shumë projekte që implementon ATK-ja, numri i bizneseve të fiskalizuara deri më tani është 25,426, ndërsa numri i pajisjeve elektronike fiskale është 32,726.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme