ATK jep njoftim shtesë për aplikimin e shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale

Prishtinë | 30 Gus 2024 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës, ditë më parë ka njoftuar për hyrjen në fuqi të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit për tatim në të ardhurat personale.

ATK sot ka lëshuar njoftim, ku ka bërë të ditur se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhura personale do të fillojë nga periudha gusht 2024.

“Pra, deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-142. Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se të gjitha konfigurimet në Sistemin Elektronik EDI do t’i bëjë me kohë dhe varësisht se për cilën periudhë tatimore do të bëhet deklarimi dhe pagesa e tatimit, sistemi do t’ju mundësoj deklarimin dhe pagesën e tatimit në përputhje me Ligjin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Për shkak të tatimit të ndryshuar, pagat e muajit shtator do të dalin me nga 6.8 euro më shumë.

Të ngjashme