Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka vazhduar me aksionin për kontrollin e bizneseve që merren me shitjen e derivateve të naftës, të cilat nuk janë fiskalizuar.
Destinacioni i radhës ishte rajoni i Mitrovicës, ku gjatë aksionit të zhvilluar në teren, zyrtarët tatimorë kanë vërtetuar se një numër i vogël i tatimpaguesve nga kjo fushë, po rezistojnë të pajisjen me arka fiskale.
“Gjatë këtij aksioni janë mbyllur 5 biznese të cilat merren me shitjen e derivateve. Aksioni do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijmë, në mënyrë që instalimi i pajisjeve speciale fiskale dhe shfrytëzimin i tyre të bëhet në pajtim me udhëzimin administrativ dhe ligjin”, thuhet në një njoftim të ATK-së.
“Departamenti i Operacioneve – drejtoritë rajonale të Administratës Tatimore të Kosovës, me aktivitetet e shtuara në terren kanë arritur që rreth 90% e bizneseve që merren me shitjen e derivateve të naftës të fiskalizohen”.
ATK-ja thekson se është e vendosur për vazhdimin e aktiviteteve me qëllim të verifikimit të instalimit, përdorimit të pajisjeve fiskale te të gjitha këto biznese dhe fiskalizimit te tyre.