ATK paralajmëron pronarët: Deklaroni të ardhurat nga qiraja ose përballuni me gjoba dhe masa ligjore

Prishtinë | 14 Kor 2026 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka intensifikuar aktivitetet për identifikimin e të ardhurave të padeklaruara nga dhënia me qira e pronave, duke u bërë thirrje të gjithë personave fizikë që realizojnë të ardhura nga qiraja – përfshirë edhe përmes platformave elektronike si Airbnb – t’i deklarojnë ato dhe të përmbushin detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Përmes këtij njoftimi, ATK synon të nxisë përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.

ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

• u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

• deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

• paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

Njoftimi i plotë:

Deklarimi dhe tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pronave

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

ATK, në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.

Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

• u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

• deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

• paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ATK rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë:

• regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore;

• vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat që disponon;

• ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe

• ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

ATK mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së.

Përmbushja vullnetare është zgjedhja më e mirë.

Administrata Tatimore e Kosovës

Të ngjashme