ATK ua rikujton atyre që punojnë si “freelancers” se janë të obliguar të paguajnë tatim

Prishtinë | 23 Gus 2024 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Administrata Tatimore e Kosovës ua ka rikujtuar të gjithë atyre që punojnë si “freelancers”, se janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin, sipas legjislacionit tatimor të Kosovës.

“Kur shërbimet si “ freelancer” ofrohen si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga subjektet vendore, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosove dhe kur punëdhënësi është jashtë Kosovës, personi obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional”, sqaron ATK.

Në njoftimin e ATK’së thuhet se deklarimi dhe pagesa e këtyre të ardhurave mund të bëhet me deklaratën vjetore, apo në baza mujore mundësohet deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga dhe kontribute pensionale për personat të cilët deklarojnë dhe paguajnë vetë tatimin dhe kontributin pensional.

“kur shërbimet si “freelancer” konsiderohen aktivitete ekonomike të pavarura atëherë aktiviteti kërkohet të regjistrohet përmes ARBK, dhe për të ardhurat e krijuara si biznes i regjistruar në Kosovë, deklarimi dhe pagesa i nënshtrohet rregullave për pagesë, si të ardhura nga shërbimet me normën 9% në qarkullimin bruto apo sipas rregullave ligjore për të ardhura reale”, sqaron ATK.

Të ngjashme