Futbollisti i njohur shqiptar Granit Xhaka ka bërë së fundmi të ditur se do të përdorë një palë atlete speciale për ndeshjen kundër Hungarisë, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës “Rusi 2018”.
Ai ka publikuar në rrjetet e tij sociale disa fotografi ku shfaqet duke mbajtur në duar atletet me ngjyrë rozë.
E gjitha kjo është bërë në kuadër të ‘muajit rozë’ që vë në pah gratë e prekura nga sëmundja e kancerit në gji.
Shqiptari që luan për Zvicrën i ka dedikuar një shkrim në Facebook, ku ka bërë thirrje për ndërgjegjësim, si dhe ka shtjelluar arsyen se pse do të paraqitet me këto atlete.
“Kanceri i gjirit është një sëmundje e tmerrshme që prek familjet e tëra. Jo vetëm gratë, por edhe fëmijët, burrat, nënat dhe baballarët në shtëpi. Ajo merr forcë dhe guxim të madh, për të shkuar në luftë me armikun e tillë. Prandaj, me krenari do t’i përdori atletet e tilla” (sic.), ka shkruar Granit Xhaka.