Atletico Madridi e ka shkatërruar 5:0 Eibarin, duke e krijuar përsëri një epërsi prej katër pikëve ndaj Real Madridit dhe pesë pikëve ndaj Barcelonës. Këto të dyja e kanë zhvilluar nga një ndeshje më pak secila, megjithatë.
Angel Correa dhe Marcos Llorente shkëlqyen me nga dy gola, ndërsa Yannick Carrasco shënoi një herë në Wanda Metropolitano, duke e kthyer skuadrën e Diego Simeones në binarë pas disa rezultateve të dobëta, raporton Gazeta Express.
Atletico vinte pas dy dështimeve radhazi, pasi humbi një herë dhe barazoi një herë tjetër në dy ndeshjet e fundit, prandaj takimi me Eibarin ishte i rëndësishëm për ta ruajtur vendin e parë në luftë për titull.
Pikërisht këtë e bënë djelmoshat e Simeones që shënuan dy herë në fund të pjesës së parë dhe tri herë në pjesën e dytë kundër ekipit të fundit në tabelën e La Ligës.