Attenborough nderohet nga mbretëresha për serinë “Blue Planet”

Prishtinë | 23 Nën 2019 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Eksploruesi britanik, David Attenborough (93), bëri thirrje të mërkurën për mobilizim ndërkombëtar në luftën kundër ndotjes, ndërkohë që e pranoi nga duart e mbretëreshës Elizabeth II çmimin e respektuar për serinë e tij televizive “Blue Planet”, e cila e sensibilizon publikun pikërisht për këtë problem.

Çmimi “Chatham House” për vitin 2019 iu prezantua në Londër David Attenborough dhe Julian Hector, udhëheqësit të History Channel të BBC-së për ndikimin e fortë publik që kanë pasur me serinë e tyre Blue Planet II, kushtuar ndotjes së oqeanit nga plastika.

Mbretëresha shprehu “kënaqësinë” e saj që mundi t’ia dorëzonte çmimin mikut të vjetër Attenborough, dokumentarët e të cilit e kanë popullarizuar çështjen e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Ky çmim është një mirënjohje për talentet tuaja të shumta”, – i tha mbretëresha eksploruesit të natyrës, i cili është njëkohësisht edhe regjisor dhe shkrimtar.

“Për ne që jemi në moshë të shtyrë është një kënaqësi e madhe të kemi dëshmi se mosha nuk është pengesë për përhapjen e ndikimit pozitiv”, – u tall mbretëresha, e cila është po aq e vjetër sa edhe Attenborough – 93.

Image

Duke e pranuar çmimin Attenborough theksoi “domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërkombëtar” në luftimin e problemeve të ndotjes, shkruan KOHA Ditore. Ai u bëri thirrje ‘dy ose tri’ shteteve të mëdha, të cilat nuk i emëroi, që të bashkohen në luftën kundër ndryshimit klimatik.

“Jam i sigurt që do t’i bindim, por për këtë do të duhet kohë”, – tha ai.

Ai i lavdëroi të rinjtë që janë duke protestuar në të gjithë botën në luftën e tyre për ta ruajtur planetin dhe kundër neglizhencës së qeverive për këtë çështje shumë të rëndësishme.

“Bota u përket nxënësve, studentëve, kjo është bota e tyre, jo e imja”, – tha ai dhe përfundoi:

“Ata janë zemëruar me të drejtë”.

Seria Blue Planet II ofron dëshmi për efektet katastrofale të mbetjeve plastike në oqeane, veçanërisht në faunën detare. Më shumë se 150 milionë tonelata plastikë po i ndotin oqeanet, sipas vlerësimeve aktuale.

“Ndotja me plastikë është një nga sfidat më serioze me të cilat po përballen oqeanet dhe është padyshim një problem ndërkombëtar”, – tha Robin Niblett, 58 vjeçar, drejtor i Chatham House. Ai e përshëndeti rolin e David Attenboroughut dhe studios BBC në vetëdijesimin e publikut për këtë çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme