Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur 19 shkelje në Komunën e Skenderaj, që kanë të bëjnë me fshehje, falsifikim, dhënie të subvencioneve pa konkurruar, shkelje e procedurave, mos zgjedhje e kandidateve meritor në arsim, keqpërdorim i pronës publike, shkruan EkonomiaOnline.
“ Komuna nuk ka ndonjë software të veçantë për menaxhimin e të hyrave/llogarive të arkëtueshme, llogaritë menaxhohen në Excel, të cilat nuk japin siguri të plotë për të dhënat (mund të ndryshohen dhe nuk mbesin gjurmë). Pa konkurrencë, në dy raste janë dhënë subvencione. Kërkesa për marrjen e vendimit për subvencione në emër të klubeve ishte parashtrua nga drejtori i drejtorisë së kulturës të kryetari i komunës, çka lënë me nënkuptu se këto mjete i ka marrë vetë drejtori,” thuhet në një komunikatë për medie të Lëvizjes Vetëvendosje.
Informata e shpalosur në Pasqyrat Financiare Vjetore në lidhje me pasuritë sipas Vetëvendosjes nuk janë të sakta.
“Regjistri i pasurisë në SIMFK është mbivlerësuar me pasurit e regjistruara të cilat ishin të keq planifikuara/buxhetuara për vlerën 32,495 €,” thuhet në komunikatë.
Po ashtu janë evidentuar shkelje në procedurat e rekrutimit të mësimdhënëseve.
“Në konkursin ‘Mësimdhënës për mësim klasor/zëvendësi’ nuk janë ndjekur procedurat e mbajtjes së testit me shkrim. Përzgjedhja e kandidatit ishe bërë vetëm në bazë të intervistës. Për konkursin “Mësimdhënës për lëndën e edukatë fizike” ishte organizuar vetëm testi më shkrim e jo edhe intervista, për më tepër nuk ishte përzgjedhur kandidati më vlerësimin më të lartë. Për mësimdhënës në të gjuhës angleze në shkollën në Krasaliq, rezultoi se nuk kishte pasur konkurs për atë pozitë. Ishte përzgjedhur një kandidat për konkursin e shpallur në Polac.”
Komuna gjate vitit 2017 ka angazhuar tetë (8) punonjës/staf me marrëveshje për shërbime të veçanta (MShV). Angazhimi i tre prej tyre ishte bërë pa aplikuar procedurat e konkursit publik, por vetëm me kërkesë të Drejtorive përkatëse Komunale.
Dobësi janë evidentuar edhe në procedurat e prokurimit – Te kontratat “Furnizim me material elektrik dhe vegla pune për shkollat dhe komunën nuk është specifikuar çmimi dhe nuk është zgjedhur ofertuesi më i lirë.
Sa i përket furnizimit me dru për ngrohje është evidentuar se pranimi i mallrave ishte bërë vetëm nga një person (dëshmi flete-dërgesa).
“Tejkalimi i pagesave te kontratat kornizë – ligji e parasheh që kontrata kornizë mund të tejkalohet maksimumi 30℅, ka raste ku është tejkaluar 50℅. Asnjë nga faturat pranuara/paguara nuk është protokolluar, pasi që komuna nuk ka libër protokolli për evidentimin e faturave të pranuara. Në tri raste drejtorët e drejtorive ishin emëruar menaxher të kontratave përderisa ishin edhe autorizues të pagesave, dukuri kjo në kundërshtim me kërkesat ligjore në ndarjen e detyrave. Kemi hasur raste që shfrytëzuesi i hapësirës publike/lokal afarist nuk kishte paguar asnjëherë qiranë mujore që nga viti 2015, i cili deri në fund të vitit 2017 kishte borxhin e akumuluar ndaj Komunës në vlerë 4,785€.”