Mangësi të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në zinxhirin kontrollues të ushqimit që e aplikon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Mospërfshirja e të gjitha Parimeve të Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik, i njohur si HACCP gjatë kontrollit të ushqimit, mosakreditimi i laboratorit të ushqimit dhe veterinarisë për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim, moskompletimi i procedurave dhe standardeve të nevojshme për të siguruar se kontrollet zyrtare bëhen në pajtim me standardet e sigurisë për ushqim, si dhe mungesa e bazës së plotë të të dhënave për bizneset që ofrojnë ushqim me prejardhje bimore dhe shtazore për të siguruar kontrollin mbi të gjithë industrinë ushqimore në vend, janë disa nga gjetjet e Auditorit pas monitorimit që i ka bërë sistemit të kontrollit të ushqimit në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Auditimi është kryer me qëllim të vlerësimit nëse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur sistem adekuat për të ofruar siguri në ushqim. Për të analizuar procesin ZKA-ja ka marrë rast studimi produktet e mishit dhe grurit. Auditimi është kryer për vitin 2018 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2019.
Sipas raportit “Siguria e ushqimit”, ku rast studimi kanë qenë produktet e mishit dhe të grurit, që është publikuar këtë javë, AUV-i ende nuk e ka plotësisht funksional sistemin e sigurisë në tërë zinxhirin ushqimor. Raporti tregon se vlerësimi i sigurisë në ushqim përmes listave të kontrollit nuk i përfshin të gjitha Parimet e Analizës së Rrezikut dhe Pikave të Kontrollit Kritik, i njohur si HACCP. Për më tepër, thuhet se as Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk është i akredituar për të gjitha analizat e nevojshme për siguri në ushqim.