Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një “mal” parregullsish në ndërmarrjen “Pastrimi”.
Në një raport të saj, ZKA ka identifikuar 23 probleme përbrenda kompanisë regjionale të mbeturinave. 7 sosh të reja dhe 15 të tjera më të moçme.
Një nga to është lidhja e jashtëligjshme e kontratave me punonjësit.
Kompania gjatë vitit 2021 përmes katër konkurseve kishte rekrutuar 127 të punësuar.
Edhe pse të gjitha konkurset ishin shpallur për rekrutimin e punonjësve të rinj për kohë të caktuar, gjatë vitit me vendim të menaxhmentit të gjithë personave të punësuarve u ishin dhënë kontratat për kohë të pacaktuar. Me këtë veprim, sipas ZKA-së menaxhmenti nuk kishte respektuar as kushtet e konkursit të cilin e kishte shpallur vetë e as Ligjin e Punës sipas së cilit kontratat për kohë të caktuar mund të jepen për kohëzgjatje deri në 10 vjet.
Sipas zyrtarëve ligjorë të kompanisë, kjo ka ndodhur për shkak se Kryeshefi Ekzekutiv ka marrë vendim që të gjitha kontratat, si ato të periudhës së vitit 2021, po ashtu edhe kontratat e mëhershme që kanë qenë me kohë të caktuar të vazhdohen në tërësi për kohë të pacaktuar.
Lidhur me këtë problem, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që bordi i drejtorëve të sigurojë që lidhja e kontratave për punësimin e stafit të ri të bëhet në përputhje me kriteret e shpallura në konkursin publik dhe dhe në pajtim me Ligjin e Punës. Në të kundërtën, siç thotë ZKA, veprohet në kundërshtim me ligjin, raporton Front Online.
Si problem, ZKA e ka identifikuar edhe vetë procesin rekrutues për staf të rregullt.
Aty ka gjetur disa mangësi. Fjala vjen në disa prej konkurseve mungon pjesa e përmbledhjes së shkurtër të përshkrimit të punës, kohëzgjatja e emërimit, puna provuese, etj.
Po ashtu gjatë zhvillimit te procedurave të rekrutimit nuk përpilohet lista definitive e aplikuesve në konkurs të cilët i plotësojnë kushtet dhe
kriteret e konkursit e as ajo me emrat e aplikuesve në testin me shkrim me renditjen e pikëve të fituara.
Tutje, thuhet, se në konkurset e tij, “Pastrimi” nuk përdorë formularët dhe forma e intervistës për pjesëmarrësit sipas rregullores.
Edhe më keq, në një rast për pozitën “Kontrollë interne”, njëri ndër kriteret ishte që kandidati të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale ose nën hetime.
Bazuar në çertifikatën nga gjykata, kandidati i përzgjedhur figuron se ka lëndë në proces e edhe dënim.
ZKA vlerëson se mos përfillja e Udhëzimit Administrativ dhe rregulloreve tjera lidhur me proceset e rekrutimit ndikon në shfaqjen e dobësive në proceset e vlerësimit e deri në mospërzgjedhjen e kandidatëve të suksesshëm.
Problem tjetër është edhe tejkalimi i numrit të punonjësve dhe shpenzimeve të pagave të planifikuara sipas planit të biznesit.
Në Planin e Biznesit për vitin 2021, ndërmarrja kishte planifikuar që numri maksimal i aprovuar i punëtorëve në fund të vitit të jetë 795 të punësuar apo 30 të punësuar të ri, me projektim të buxhetit në vlerë prej 4,629,012€. Mirëpo, gjatë periudhës 2021, kompania kishte punësuar gjithsej 128 punonjës të rinj duke e çuar numrin total të të punësuarve në 860 në nivel të përgjithshëm.
Rritja e numrit të të punësuarve mbi nivelin e aprovuar në planin e biznesit ka rezultuar me tejkalim të shpenzimeve të pagave për 340,236€ mbi shumën e planifikuar ose shprehur në përqindje 7.35% mbi kuotën e planifikuar.
Sipas zyrtarëve të Kompanisë, shkaku për tejkalimin e shpenzimeve për paga ishte rritja e numrit të të punësuarve me kontrata për punë dhe detyra specifike e që sipas menaxhmentit të kompanisë angazhimi i këtyre punëtorëve ishte për shkak të rritjes së vëllimit të punëve dhe numrit të klientëve, raporton Front Online.
ZKA thotë se tejkalimi i numrit të të punësuarve mbi planifikimin e lejuar mund të rezultojë me orientim jo adekuat të buxhetit të kompanisë dhe rrjedhimisht kompania mund të ballafaqohet me mungesë fondesh për mbulimin e shpenzimeve tjera, teksa rekomandon që Bordi i Drejtorëve duhet ta zbatojë planin e biznesit që vetë e ka miratuar. Për më tepër të bëjë monitorimin e vazhdueshëm të shpenzimeve të pagave në raport me planifikimet.
ZKA në raportin e saj thotë se “Pastrimi” nuk ka respektuar as rregulloret komunale në faturim për menaxhimin e mbeturinave.
Mos faturimi i shërbimit sipas tarifave të përcaktuara nga organet kompetente dhe mungesa e dëshmive ndikon në mos zbatimin e procedurave ligjore dhe shkakton një kosto shtesë të shërbimit.
Kjo rrjedhimisht ndikon edhe në vlerën e fitimeve/humbjeve të ndërmarrjes.
Sipas Ligjit për Mbeturinat, neni 14.3 dhe 15, tarifat për deponimin e mbeturinave komunale dhe mënyrën e inkasimit të mjeteve monetare për shërbimet e mbeturinave i caktojnë komunat.