Me ftesë të Presidentit të Gjykatës Turke të Llogarive dhe EUROSAI-t, Seyit Ahmet BAŞ, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, të mërkurën zhvilloi një vizitë pune në selinë e Gjykatës Turke të Llogarive në Ankara. Ky takim kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve në mes dy institucioneve për pjesëmarrje aktive të ZKA-së në forumet e EUROSAI-t, si dhe përgatitjet për pjesëmarrjen dhe prezantimin e ZKA-së si anëtarja më e re në Kongresin e XI të EUROSAI-t, i cili do të mbahet në muajin e ardhshëm.
Me këtë rast, Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive, Seyit Ahmet BAŞ, ka përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, për angazhimin e vazhdueshëm dhe rezultatet e arritura në ndërkombëtarizimin e ZKA-së, duke thënë se anëtarësimi në EUROSAI tregon se sa e përgatitur dhe profesionale është Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës. Ndërsa, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka vlerësuar lartë punën e z. Seyit Ahmet BAŞ, gjatë kryesimit të EUROSAI-t dhe mbështetjen e vazhdueshme dhënë ZKA-së në integrimin në organizatat ndërkombëtare.
Krerët e të dyja institucioneve kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin bilateral, përmes planit konkret të aktiviteteve për përmbushjen e marrëveshjes së bashkëpunimit të arritur në vitin 2018. Në takim vëmendje e veçantë i është kushtuar aktiviteteve dhe vendimeve të Institucioneve Supreme të Auditimit të Turqisë dhe Kosovës, si reagim ndaj pandemisë Covid-19, me ç’ rast palët shpalosën detaje lidhur me auditimet për Covid-19.
Tutje, zyrtarë të lartë dhe auditorë, kanë prezantuar përvojat e Gjykatës Turke të Llogarive në kontrollin dhe sigurimin e cilësisë në pajtim me Standardet; përvojat në auditimin e TI-së; përvojat në sistemin e menaxhimit të auditimit si dhe përvojat në sistemin për analizimin e të dhënave. Ndërsa, delegacioni kosovar, ka shpalosur arritjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, përfshirë këtu përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, forcimin e kapacitetit institucional dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira me palët e jashtme. Po ashtu, është biseduar edhe për zhvillimet e fundit në përditësimin e metodologjisë së auditimit si dhe vënien në përdorim të sistemit elektronik të auditimit, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe transparencës në procesin e auditimit.