Zyra Kombëtare e Auditimit kërkon nga Komuna e Gjilanit ta hartojë strategjinë zhvillimore komunale. Kjo ngase për mungesë të saj ka edhe ngecje të orientimit të politikave dhe realizim projektesh, që ndikojnë direkt te qytetarët.
“Strategjia e përgjithshme zhvillimore nuk ishte hartuar nga të gjitha komunat që kanë qenë subjekt i auditimit. Komuna e Gjilanit nuk ka arritur të hartonte planet strategjike zhvillimore. Ndër të tjera këto plane strategjike parashtrojnë krijimin e vizionit, definimin e misionit, objektivat strategjike dhe veprimet e nevojshme për realizimin e këtyre qëllimeve, përmes implementimit të programeve dhe projekteve. Strategjitë sektoriale janë hartuar nga të gjitha komunat, të cilat me gjithë rëndësinë për zhvillimin e sektorit përkatës nuk mund të zëvendësojnë një strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Ndërkaq theksohet se Komuna e Gjilanit nuk ka plan të veprimit për realizimin e objektivave të parapara, dhe se nuk prodhon raporte të tjera.
“Mungesa e një raporti të tillë bën të pamundur që aktivitetet të realizohen brenda parametrave dhe objektivave të planifikuara. Gjithashtu, nuk ka dokument formal për shfrytëzimin e mjeteve që grumbullohen nga tatimi në pronë”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.