Në mënyrë që të përmbushte ëndrrën e tij për të luajtur futboll profesionist në Evropë, sulmuesi nga Sierra Leone, Augustus Kargbo u largua nga shtëpia e tij me vetëm 13 vjeç. Tani 21-vjeçar, ai la nënën dhe jetën e tij në shtëpi në vitin 2013 për të ndjekur ëndrrën e tij dhe pesë vjet më vonë e firmosi kontratën e parë profesioniste kur iu bashkua ekipit italian Crotone. Kargbo bëri debutimin e tij në Serie A muajin e kaluar kur u fut nga banka e rezervistëve te Crotone, që këtë edicion po luan në elitën e futbollit italian. Në atë ndeshje, Crotone pësoi humbje të thellë nga Genoa (4:1), por Kargbi pati paraqitje të mirë. Në mënyrë që të ketë minutazhë më të madhe dhe të fitojë përvojë, te Crotone morën vendim që para mbylljes së afatit kalimtar të verës ta huazojnë te Reggiana në Serie B. Në dy ndeshje të luajtura me fanellën e Reggianas, Kargbo ka bërë dy asistime dhe beson se edicionin tjetër do të vazhdojë ëndrrën për të luajtur në Serie A.
“Ishte e vështirë për mua të lija nënën time dhe familjen time në moshën 13-vjeçare për të ndjekur ëndrrën time. Ishte periudhë e mundimshme, por unë nuk u dorëzova për asnjë moment”, tha Kargbo, i cili ka kontratë me Crotonen deri në verën e vitit 2022. “Nëna ime është frymëzimi im më i madh dhe heroina ime, pasi ajo është një grua e fortë. Babai im i ndjerë u divorcua kur unë isha një djalë i vogël, kështu që unë u rrita nga ajo. Gjërat ishin të vështira ndërsa mamaja ime mundohej të kujdesej për mua dhe dy vëllezërit e tjerë. Ajo bëri shumë për mua që të më shihte ku jam sot dhe për këtë i jam shumë mirënjohës asaj”.
Kargbo ka lindur në qytetin Freetown të Sierra Leones dhe si shumë lojtarë të tjerë afrikanë, ai filloi të luante futboll në rrugë dhe gjithashtu u paraqit nëpër disa liga të futbollit të vogël, ku menjëherë është pikasur nga agjenti i tij, Numukeh Tunkara.
“Gjithmonë kam qenë i vendosur për të luajtur një ditë futboll profesionist në Evropë. Koha ime po vjen dhe shumë shpejt e gjithë vendlindja ime do të krenohet me mua”, paralajmëron ai.