Disa orë para se të vritej, i mituri Aulon Zeka, ishte takuar me dy të miturit e tjerë, tanimë të arrestuar, G. H. dhe R.G., në picerinë “Bellmonde” në lagjen “Arbëria”, shkruan sot Koha Ditore.
Takimi mes tyre dyshohet se ishte organizuar për në orën 13:30 nga e mitura 15-vjeçare, R.G., e cila sipas një shkrese të Prokurorisë që e posedon “Koha Ditore”, është e dashura e G.H. Të tretë, në atë lokal dyshohet se kanë qëndruar rreth dy orë.
Prej aty, që të tretë kanë shkuar me taksi në lagjen “Dardania” dhe te Posta e Madhe dyshohet se e mitura R.G. është ndarë prej tyre. Aulon Zeka bashkë me G. H., kanë vazhduar në drejtim të rrethit të lagjes “Arbëria”, duke shkuar pastaj në drejtim të shkollës fillore “Qamil Batalli”.