Qeveria federale e Australisë ka njoftuar se do ta largojë nga përdorimi vaksinën e AstraZeneca-s deri në tetor, duke thënë se do të ketë rezerva të mjaftueshme të vaksinave tjera për vaksinimin e popullsisë deri në fund të vitit. Ndërkohë Kosova do të marrë 180 mijë doza të kësaj vaksine nga Norvegjia, e cila gjithashtu e ka hequr nga përdorimi.
Sipas dokumentit të rishikuar të programit të vaksinimit, vaksinat e AstraZeneca-s do të mbizotërojnë në proces në korrik dhe në gusht, me 2.6 milionë doza të dhëna çdo javë, kryesisht për personat mbi moshën 60-vjeçare, shkruan The Guardian.
Por përderisa vaksinimi i këtij grupi të popullsisë po i afrohet përfundimit, vlerësohet se vaksinat e kompanisë AstraZeneca nga tetori në Australi do të përdoren vetëm në rast se dikush paraqet kërkesë.
Gjatë fazës së dytë të vaksinimit në shtator, autoritetet australiane do të fillojnë të përdorin më shumë vaksina të kompanisë amerikane, Moderna, me 125 mijë vaksina që pritet të jepen në javë.
Nga shtatori do të ketë më shumë vaksinime edhe me vaksinën e kompanisë tjetër amerikane, Pfizer, me rreth 1.3 milionë doza të gatshme në javë, ndërsa në korrik dhe gusht kjo shifër do të jetë 750 mijë në javë.