I moshuari 78-vjeçar, që është infektuar me coronavirus derisa po lundronte me një anije nëpër brigjet e Japonisë, është viktima e parë e kësaj sëmundjeje në Australi.
Ai ishte nisur nga Perth, së bashku me gruan e tij, e cila gjithashtu është e sëmurë me coronavirus, ndërsa ka vdekur sot në mëngjes në po të njëjtin qytet ku e kishin kthyer më 21 shkurt.
Së bashku me 164 australianë të tjerë, atë e kishin evakuuar nga anija gjigante ku po i kalonin pushimet, ndërsa ishte mbajtur përkohësisht në karantinë.
Në të gjithë Australinë janë 23 raste me coronavirus, përfshirë edhe dy që u zbuluan sot. Deri më tani, 11 australianë janë shëruar me sukses.
Mësohet se gruaja e tij, e cila është në të 70-at, është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa detyrohet të qëndrojë edhe më tutje në izolim. /Telegrafi/