E përditshmja austriake “Die Presse” ka shkruar të martën se Austria është duke këmbëngulur që ndihma emergjente e BE-së për vendet anëtare të prekura nga Covid-19 të jetë e bazuar në hua e jo në grante.
Dy ekonomitë më të fuqishme të Evropës, Gjermania dhe Franca, e propozuan një fond prej 500 miliardë eurove, me të cilin do të ofroheshin grante të pakthyeshme për rajonet dhe sektorët më të prekur nga pandemia në BE.
Sipas këtij plani, paratë për këtë fond do të merreshin hua nga Bashkimi Evropian si njësi e vetme e jo nga shtetet veç e veç. Megjithatë, për t’u miratuar një pako e tillë, duhet të merret pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare.
“Ne do të vazhdojmë të shfaqim solidaritet dhe t’i përkrahim vendet e prekura më së shumti nga kriza e koronavirusit, por kjo duhet të bëhet përmes huave e jo përmes granteve”, citohet të jetë thënë në një deklaratë të qeverisë austriake, e cituar nga gazeta “Die Presse”.
Ndryshe, Austria ka qenë një ndër vendet e para që ka vendosur masa kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit, por gjithashtu edhe shteti i parë që e nisi largimin e tyre pas menaxhimit të suksesshëm të pandemisë.