Zv. kryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, bashkë me zv. kryeministrin Enver Hoxhaj, është pritur në një vizitë zyrtare nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, me rastin e shënimit të 10-vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Austrisë dhe Republikës së Kosovës.
Zv. kryeministri Hoxhaj dhe zv. kryeministri Gashi, në takim me kryetarin e Parlamentit, Sobotka, falënderuan shtetin austriak për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në etapa të ndryshme kohore, si para, ashtu edhe pas luftës, me theks të veçantë në periudhën pas shpalljes së Pavarësisë, ndërsa kërkuan mbështetje për proceset e tanishme, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
“Si shteti i fundit në Ballkan që nuk kemi lëvizjen e lirë në vendet e Schengenit, shpresojmë se tash, pasi e kemi përmbushur kushtin e demarkacionit, do ta vazhdoni mbështetjen për të aplikuar procesin e liberalizimit të vizave edhe për Kosovën. Po ashtu, mbështetemi fuqishëm në ndihmën dhe bashkëpunimin tuaj edhe në procesin e integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha zv. kryeministri Hoxhaj.
Kryetari Sobotka i falënderoi dy zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës për vizitën. Duke uruar 10- vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, ai premtoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Kosovën, në të ardhmen.
“Austria do të vazhdojë ta mbështetë Kosovën në rrugën e integrimit evropian, në veçanti liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Sobotka.
Në anën tjetër, duke folur për investimet e kompanive austriake në Kosovë, ai kërkoi më shumë siguri për investime në Kosovë.
Gashi e informoi kryetarin e Parlamentit për ligjin e ri të investimeve strategjike, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë për t’i mbështetur investimet e huaja me të gjithë mekanizmat që i ka në dispozicion.
“Në Kosovë, tashmë, në fushën e energjisë së ripërtërishme i kemi disa kompani, të cilat kanë aplikuar për statusin e investitorëve strategjikë. Në këtë drejtim, edhe kompania “Kelag” nga Austria është në proces të aplikimit për një investim rreth 100 milionë euro në fushën e energjisë, krahas projektit, të cilin janë duke e implementuar në rajonin e Deçanit”, tha zv. kryeministri Gashi.
Gjatë ditës, zv. kryeministri Gashi do të marrë pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës dhe Ambasada e Kosovës në Vjenë “10 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes Austrisë dhe Kosovës”.