Ministri Murati takohet me zyrtarë të autoriteteve australiane. Pas takimit me komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në Sidnei dhe Melburn, si dhe pjesëmarrjes në aktivitetet kulturore me rastin e shënimit të 28 Nëntorit, ministri i Diasporës, Valon Murati, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi, Sabri Kiçmari, ka zhvilluar takime me zyrtarë të shtetit Viktoria dhe me përfaqësues të Departamentit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Qeverisë së Australisë.
Në shtetin Viktoria,ministri Murati u prit nga drejtori i Zyrës për Çështje Multi kulturore në Qeverinë e këtij shteti, Hakan Akyol, dhe nga drejtori ekzekutiv në kabinetin e kryeministrit, Matt Lowe. Ata i njohën përfaqësuesit e shtetit të Kosovës me politikën që ka ndjekur ky shtet për pjesëtarët e komuniteteve, nëpër periudha të ndryshme kohore. Sipas drejtorit Akyol, kjo zyrë çdo vit u ndan grante komuniteteve për mbështetje të aktiviteteve të tyre kulturore.
Ministri Murati i njoftoi nikoqirët për aktivitetet që zhvillon aktualisht diaspora jonë në Australi, si në fushën e mësimit plotësues,po ashtu edhe në atë të jetës kulturore. Gjithashtu, ai i njoftoi ata lidhur me planin e tij për një varg aktivitetesh që do të mbështeten nga Ministria e Diasporës në të ardhmen, dhe për këtë kërkoi mirëkuptimin e autoriteteve australiane për mbështetjen e tyre.
Ndërkaq, në Kanberra, Murati dhe Kiçmari u pritën në Departamentin për Punë të Jashtme dhe Tregti të Qeverisë së Australisë, nga Louise Hand, udhëheqëse e Divizionit për Evropë, dhe Kevin Magee, udhëheqës i seksionit për Evropën Veriore, Jugore dhe Lindore. Edhe në këtë takim u bisedua për mbështetjen që mund të ofrojë Qeveria australiane për projektet e ndryshme në aspektin arsimor dhe kulturor.
Duke folur për misionin e Ministrisë së Diasporës, Murati nënvizoi kompleksitetin e qasjes ndaj diasporës, si komunitet me ndjeshmëri të veçantë.
“Përpiqemi të jemi shumë të kujdesshëm në krijimin e një balance të qëndrueshme midis ruajtjes së identitetit, në njërën anë, dhe integrimit, në anën tjetër. Ruajtja e identitetit kombëtar pa integrim shkakton izolim, ndërsa integrimi pa ruajtje të identitetit kombëtar, shkakton asimilim. Prandaj, jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim”, tha ai.
Ministri Murati, në Melburn, gjithashtu, vizitoi kompaninë shumë të suksesshme të biznesmenit nga Kosova, Ilmi Kusari, i cili aktualisht ka investuar edhe në Kosovë, dhe në planin e tij parasheh vazhdimin e këtij investimi.