Autobiografia e Hillary Clintonit është kthyer në “mollë” sherri në Serbi. Institucioni që përfaqëson komunitetin shqiptar në vend mohoi të ketë kërkuar përfshirjen e këtij libri në kurrikulat e nxënësve shqiptarë pas reagimit të ashpër të një ministri serb, i cili kujtoi rolin e bashkëshortit të saj në fushatën e bombardimeve gjatë luftës së Kosovës.
Nuk e kemi kërkuar një gjë të tillë, tha për BIRN sekretari i këshillit kombëtar shqiptar Enver Mehmeti, transmeton Top Channel. Ai shpjegon se ajo që ky organizëm propozoi ishte vetëm që tekstet në gjuhën shqipe të përdoren nëpër shkolla që ndjekin programin e miratuar prej qeverisë.
Por ministri serb i Arsimit, Mlladen Sarçeviq reagoi duke thënë se “nuk do të lejojë që në shkollat e mesme, nxënësit të mësojnë mbi pjesëtarë të familjes që urdhëroi bombardimin e Serbisë”, duke iu referuar fushatës ajrore të NATO-s të vitit 1999, e cila synonte t’i jepej fund operacioneve ushtarake të Beogradit në Kosovë.
“Nëse shqiptarët e shohin familjen Clinton si një të mirë supreme, ne e shohim atë si të keqen supreme”, citohet të ketë thënë Sarçeviq. Përfaqësues të Këshillit Kombëtar shqiptar sqarojnë se autobiografia e Clintonit duhet të shërbente thjesht si shembull i një teksti shkollor për këtë zhanër, por leximi i saj nuk do të ishte i detyrueshëm.