Shoferi i një autobusi humbi jetën pasi mjeti që drejtonte doli nga rruga dhe ra nga rreth 6 metra lartësi.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ishullin italian të Capri-t. Autobusi përfundoi në një plazh tejet të populluar ku pushuesit po bënin banjë dielli.
Mediat italiane shkruajnë se disa prej pushuesve, të frikësuar nga zhurma e madhe u zhytën në det për të gjetur strehë.
Autoritetet italiane thanë se shoferi humbi jetën pak kohë pas aksidentit për shkak të një ataku në zemër. Mbetet e paqartë nëse ai pësoi atak në zemër para aksidentin apo pas. Në autobus ndodheshin 12 persona, bashkë me shoferin, në momentin që u rrëzua.
ANSA shkruan se në total të plagosur nga kjo ngjarje mbetën 28 persona, të cilët u dërguan në spital. Pjesa më e madhe e të lënduarve, mes tyre turistë nga Franca dhe Libia, mbetën të plagosur lehtë. Ata nuk ishin në autobus, por u lënduan nga mbetjet e shkaktuara nga rënia e mjetit. 4 prej të plagosurve, përfshirë një djalë i vogël, u dërguan me helikopter drejt spitalit të Napolit.
Shkaqet e aksidentit të rëndë nuk dihen ende. Autoritetet kanë nisur hetimet.