Autoritetet kineze kanë urdhëruar që të gjitha pajisjet e huaja kompjuterike dhe softuerët të largohen nga zyrat qeveritare dhe institucionet publike, në një afat kohor prej tre vitesh, shkruan Financial Times.
Direktivat qeveritare duket se kanë për qëllim të godasin kompanitë amerikane si HP, Dell dhe Microsoft si kundërpërgjigje që Washingtoni synon të kufizon përdorimin e teknologjisë kineze, në një luftë tregtare që po zhvillohet mes këtyre dy vendeve.
Administrata e Donald Trumpit ua kishte ndaluar kompanive amerikane të bëjnë biznes me kompanitë kineze të telekomunikacionit siç është Huawei, ku Google, Intel dhe Qualcomm kishin bërë të ditur se do të ngrijnë bashkëpunimin me Huawei.
Kjo është direktiva e parë publike e Pekinit, që specifikoi targetet duke ua kufizuar punonjësve të këtij vendi të përdorin teknologjinë perëndimore. Kjo direktivë përfshin nga 20 deri në 30 milionë copë të harduerëve që duhet zëvendësuar në vitin 2020. E sipas analistëve të kësaj fushe, për të realizuar plotësisht kërkesën e qeverisë, kineze nevojiten tre vite.
Por sa do të jetë e realizueshme kërkesa mbetet të shihet, pasi qeveria kineze synon që nëpër institucione të përdor kompjuterë të kompanisë kineze Lenovo, e cila megjithatë komponentët e kompjuterit siç janë procesorët dhe çipët i kanë të prodhuar nga kompanitë amerikane. /Telegrafi/