Drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se institucioni që ai udhëheq nuk do t’i lejojë sektorit të gastronomisë që të ngrisë çmimet e produkteve në mënyrë të bashkërenduar mes bizneseve, pas goditjes që kanë pësuar gjatë pandemisë.
Në një postim në Facebook, Prestreshi ka thënë se këto biznese duhet të zhvillohen përmes garës fer e duke konkurruar me njëri-tjetrin me cilësi.
“Pajtohem plotësisht me Odën Amerikane në Kosovë, se gastronomia është tregu më i godituri nga pandemia. Nga goditja e këtij tregu, është goditur një varg i gjatë i hallkave zinxhir që ndërlidhen me tregun e gastronomisë. Dhe ndihma e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij tregu duhet të jetë i dukshëm. Por, në asnjë rast, nuk do t’u lejohet këtyre gastronomeve që në mënyrë të bashkërenduar të bëjnë kartele klasike duke ngritur çmimet e produkteve të tyre. Autoriteti është i pakompromis! Biznesi të zhvillohet me garë fer, duke i konkurruar njëri-tjetrit me cilësi, çmime dhe produkte inovative”, ka shkruar ai.
Kafenetë e restorantet në Kosovë kanë qëndruar të mbyllura për më shumë se dy muaj për shkak të shpërthimit të pandemisë në vend. Ato u hapën plotësisht në fillimqershor, pak pasi u ishte lejuar që të funksiononin vetëm përmes shërbimit ‘merre me vete’.