AKK-ja vazhdon hetimin e abuzuesve të çmimeve – Prestreshi: Për 5 ditë u importuan 2 milionë kg miell

Prishtinë | 23 Mar 2020 | 11:56 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka nisur hetimet për të gjithë bizneset dhe kompanitë farmaceutike për ngritjet e çmimeve, pas situatës së krijuar me Coronavirus.

Kryetari i këtij institucioni Valon Prestreshi, tha në një intervistë për Ekonomia Online, se Autoriteti si institucion i pavarur angazhohet që të parandalojnë çfarëdo lloj shkelje të mundshme të konkurrencës në gjithë territorin e Kosovës.

Ka thënë se me takime intensive, iu ka bërë me dije se çdo abuzim me çmime do të përballen me ligjin.

“Kemi zhvilluar takime intensive me prodhuesit dhe importuesit e mëdhenj të produkteve bazë ushqimore, gjithashtu edhe me ndërmarrësit që merren me produkte farmaceutike, shto aty edhe me kompanitë që merren me shitjen e biletave të aeroplanëve. Autoriteti u’a ka bërë me dije ndërmarrësve se çdo abuzim me çmime, çdo kufizim i shitjes se produkteve, apo edhe çdo praktikë tjetër që është në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, do të përballën me shtetin ligjore dhe të drejtë”, ka thënë ai.

Prestreshi, ka thënë se në AKK, janë adresuar ankesa të ndryshme, kryesisht nga qytetarët.

“Tani në adresën tonë të AKK-së kanë ardhur ankesa të llojeve të ndryshme. Për këtë u’a bëjë me dije të gjithëve ashtu siç ju bashkëpunoni me kolegët e juaj në treg, ashtu bashkëpunon edhe AKK me kolegët e vet të shtetit. I tërë aparati shtetërorë është në krye të detyrave të veta, dhe çdo ankesë e qytetarëve tanë është filtruar dhe adresuar në dikasteret përkatës. Nuk ka pardon në këtë situatë të vështirë, po veprohet dhe do të veprohet kundrejt abuzuesve”, ka thënë ai.

Teksa ka folur për këtë dukuri, Prestreshi ka thënë se në bashkëpunim me ATK-në dhe Inspektoratin e Tregut, janë shqiptuar gjoba të ndryshme.

Gjoba që e shqipton AKK-ja, sipas tij, shkon deri në 10 për qind. Nëse një ndërmarrje ka qarkullim 100 mijë euro, gjoba është 10 mijë euro. 

“Shumë raste kemi, sidomos ankesa kemi të qytetarëve të cilët janë ankuar për rritje të çmimeve nëpër markete të ndryshme të produkteve të ndryshme sidomos produkteve bazë ushqimore. Normalisht ato janë adresuar nëpër dikasteret e ndryshëm, siç janë ATK-ja, Inspektorati i Tregut dhe ai i Punës. Tash sipas të dhënave që kemi nga koleget nëpër ministri, janë shqiptuar gjoba mandatore nga dikasteret e ndryshëm, ndërsa ne si AKK ka bashkëbiseduar apo i ka marrë në pyetje vetëm prodhuesit e mëdhenj të cilët bëjnë importimin dhe prodhimin e produkteve bazë ushqimore, siç është mielli, kripa, orizi, makaronat dhe supat”.

“Ne kemi zhvilluar takime me ta dhe iu kemi thënë që nëse abuzoni me çmime, AKK do t’i mbledh të gjitha informatat dhe fatura dhe do ta bëjmë krahasimin e çmimeve, dhe abuzimi i pozitës dominuese është vepër shumë e rëndë dhe gjoba nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është deri në 10 për qind nëse janë fajtor. 10 për qind i qarkullimit vjetor. Nëse një ndërmarrje i ka afërsisht 100 mijë euro qarkullim vjetor, po flas minimumin që e ka, atëherë 10 për qind të qarkullimit vjetor do të jetë 10 mijë euro”, ka thënë Prestreshi.

Prestreshi ka thënë se ka kërkuar nga Dogana e Kosovës importin e grurit për pesë ditët e fundit, duke thënë se importi ka qenë më shumë se 2 milionë kilogram. E për këtë, ai ka bërë me dije se nuk ka vend për panik.

“Mund ta themi këtë se unë kam kërkuar nga Dogana e Kosovës, importin e grurit për këto pesë ditët e fundit dhe import të grurit kemi mbi 2 milionë kilogram, dhe nëse vazhdon ky ritëm i importit të grurit, atëherë nuk ka vend për shqetësim, sepse me këtë ritëm të importit mjaftueshëm mbulohet tregu dhe mjaftueshëm furnizohen qytetarët. Por nëse ndodh rënia e importit duhet ta shohim hapësirën e rezervave shtetërore të cilat i ka shtetit”, u shpreh ai.

Të ngjashme