Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, i cili i ka dorëzuar Raportin për Vendin 2026 të Komisionit Evropian, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit, në një konferencë për media, ambasadori Schuebel është pyetur nëse Kosova po trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera në procesin e statutit kandidat.
Schuebel ka deklaruar se Kosova do të trajtohet në të njëjtën mënyrë si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe shtetet kandidate, duke theksuar se raporti evidenton progresin e arritur nga institucionet e Kosovës dhe hapat konkretë të ndërmarrë në procesin e reformave.
“Në draft-raportin e Bashkimit Evropian, Kosova do të jetë e drejtuar, gjithë procesi është kryer në këtë mënyrë. Duke shikuar këtë raport për këtë vit, mundeni me pa një progres, një marrëdhënie e cila është shumë afër për me u anëtarsu në Bashkimin Evropian, edhe Kosova me reformat që kanë kryer, edhe që kanë marrë hapat konkrete për mbrojtje edhe për sigurim, edhe do të jepet financat e konsiderueshme”, ka deklaruar Schuebel.
Ai ka thënë se ndryshimet në proces nuk mund të jenë të menjëhershme, pasi disa prej procedurave dhe reformave kanë qenë të kufizuara nga proceset e brendshme të miratimit institucional.
“Si kam treguar më herët, nuk mundet me bë një ndryshim shumë të madh, sepse kanë qenë nëpër miratime interne, edhe këtë reformë për këto institucione kanë qenë të limituar për me marrë hapat konkrete. Po, jam optimist se Kosova mund të shkojë përtej, edhe në Bruksel nuk kanë mangësi se si punojnë Kosova dhe institucionet”, ka thënë ambasadori.
Schuebel ka vlerësuar pozitivisht hapat e ndërmarrë nga Kosova, duke veçuar harmonizimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian.
“Në këtë raport i ka hapat pozitive të cilat i kanë ndërmarrë, edhe është treguar se është i hapur shumë, se Kosova harmonizohet me politikën e jashtme, autorët, edhe jam kënaqur që kështu është rasti”, ka theksuar ai.
Një prej zhvillimeve që Schuebel e ka veçuar është edhe përfshirja e Kosovës në vlerësimin për Kapitullin 31, i cili lidhet me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Sipas tij, Kosova do të vlerësohet në këtë kapitull njëjtë sikurse shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfshirë Moldavinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
“Edhe duhet hapur një kapitull, kapitulli 31, edhe njëherë, Kosova do të ketë të drejtuar sikur të gjitha shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, edhe kandidatët, edhe jashtë Ballkanit, sikur që janë Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia”, ka deklaruar Schuebel.
Ai ka folur edhe për pozicionin e Kosovës në raport me vendet e tjera që janë pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke përmendur Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë.
“Edhe ju kam treguar që Shqipëria dhe Ukraina, edhe Moldavia, Moldova janë në radhë të parë, por Kosova është pjesë më e avancuar”, theksoi tutje ai.
