Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, me të cilin ka diskutuar për Raportin e Komisionit Evropian, procesin e reformave dhe perspektivën evropiane të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e angazhimit institucional për përshpejtimin e reformave dhe adresimin e ngecjeve të evidentuara në raportet e institucioneve evropiane.
“Tani që Kuvendi i është kthyer punës, kemi mundësinë t’i japim një ritëm të ri reformave dhe të shënojmë përparim në fushat ku janë evidentuar ngecje”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i është kushtuar Agjendës së Reformave, Planit të Rritjes dhe përmbushjes së detyrimeve brenda afateve të përcaktuara, si dhe shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Haxhiu ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, veçanërisht në procesin legjislativ dhe në mbikëqyrjen e zbatimit të reformave.
Ajo ka vlerësuar se avancimi i Kosovës drejt integrimit evropian kërkon përkushtim dhe përgjegjësi të përbashkët nga të gjitha institucionet.
“Rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon punë të vazhdueshme, përkushtim dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet. Besoj se me bashkëpunim dhe me angazhim të përbashkët mund të shënojmë përparim të dukshëm në reformat që i duhen vendit dhe qytetarëve tanë”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit.