Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë për pozitën e kryeprokurorit të kësaj prokurorie, në rast se shpallet konkursi për këtë pozitë, raporton Ekonomia Online.
I pyetur nëse do të jetë kandidat në garën për kryeprokuror, Paca tha se këtë çështje do ta shqyrtojë dhe vlerësojë në të ardhmen, kurdo që të hapet konkursi.
Ai theksoi se gjatë kohës sa do të ushtrojë këtë detyrë, do të angazhohet që puna e Prokurorisë Speciale të vazhdojë pa pengesa dhe pa zbrazëtira në funksionimin e përditshëm.
“Unë do të kujdesem gjatë kësaj periudhe, sado që të zgjasë, që funksionin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit ta ushtroj në mënyrën më të mirë apo me përkushtim maksimal, në atë formë që të mos lejojmë që të mbetet ndonjë zbrazëtirë në punën e përditshme të Prokurorisë Speciale. Kurse momentin se kur do të shpallet konkursi dhe nëse unë do të jem një prej kandidatëve potencialë në atë garë, do ta shqyrtoj dhe do ta vlerësoj në të ardhmen kurdo që të hapet ai konkurs”, tha Paca.
