I shiti mbi 100 armë dhe raportoi rrejshëm për vjedhje, kërkohet paraburgimi i gjakovarit

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit lidhur me rastin e armëve që u denoncua si vjedhje, por doli inskenim.

I dyshuari për këtë rast, me dashje dhe kundërligjshëm ka bërë shitjen e 110 armëve të zjarrit, që i mbante në poligon e më pas kishte kërkuar ndihmë nga Policia, duke e denoncuar rastin si vjedhje.

Dosja e Prokurorisë thotë se, “ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet V.C. nga fillimi i muajit tetor 2026 e deri më datë 30.10.2026 në Gjakovë, konkretisht në poligonin e armëve “T…”, me dashje dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për armët dhe materiet plasëse, ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 (njëqind e dhjetë) armë zjarri, të cilat dyshohet se i kishte në depon e poligonit të licencuar, personave me inicialet D.P. dhe L.U. të cilët aktualisht gjenden në arrati. Pas kësaj, i pandehuri rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët e njëjta i ishin vjedhur.”

I njëjti do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.

Ndërkaq, ndaj dy të dyshuarve të tjerë, D.P. dhe L.U. të cilët gjenden në arrati, Prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Të ngjashme