Autostrada Prishtinë-Shkup sipas kontratës së nënshkruar më 2014 me kompaninë ndërtuese Bechtel-Enka, është paraparë të kryhet për tri vjet. Mirëpo, në mungesë të mjeteve buxhetore, kjo autostradë pritet të shtyhet edhe për një vit, përkatësisht deri në fund të vitit 2018.
Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, gjatë një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve EkonomiaOnline, ku ka folur edhe për projektet tjera infrastrukturore, investimet në linjat hekurudhore që lidhin Kosovën me Shqipërinë, Ligjin e Ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, Aeroportin e Gjakovës etj.
Duke folur për autostradën Prishtinë-Shkup, ministri Zharku, ka bërë të ditur se për shkak të kufizimeve buxhetore, do të bisedojnë me kontraktorin Bechtel-Enka, për mundësinë e shtyrjes së përfundimit të punimeve për një vit, pra deri në fund të vitit 2018.
Kjo shtyrje sipas Zharkut, po bëhet për të mundësuar financimin e projekteve të reja infrastrukturore, qoftë rrugëve regjionale, nacionale, por edhe atyre komunale.
“Është e pamundur gjatë viti 2017 të financohen 300 milionë euro. Besoj që do të kemi një mirëkuptim, natyrisht qëndrimi jonë i parë, apo kërkesa jonë e parë ka qenë që ata të kenë mirëkuptim t’i kryejnë punët, por që ta shtyjnë vetëm afatin e pagesave, por që natyrisht t’i mirëkuptojmë se është vështirë që të barten 150 apo 200 milionë në vitin tjetër. Kështu që besojmë në një marrëveshje të shpejtë dhe pastaj do të akomodojmë obligimet tona apo kryerjen e punëve në përputhje me buxhetin e ndarë”, ka pohuar Zharku.
Kontrata e nënshkruar mes Qeverisë dhe Bechtel-Enka-s, për realizimin e segmentit të autostradës Prishtinë-Shkup, deri në Han të Elezit, kap shifrën 600 mln euro.
Deri më tani, sipas ministrit të Infrastrukturës, janë ndarë rreth 320 mln euro, që do të thotë se duhen edhe 280 mln euro, pa llogaritur punët eventuale shtesë.
Në pyetjen se a rrezikohen autostradat për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, ministri Zharku, ka siguruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, duke shtuar se është rritur performanca e të hyrave buxhetore dhe se ka një interesim të institucioneve financiare ndërkombëtare për financimin e projekteve infrastrukturore.
Ai tha se me buxhetin për vitin 2017 është paraparë edhe nisja e autostradës për Gjilan.
(Intervista e plotë me ministrin Zharku do të publikohet të shtunën)