AUV-i flet për videon me biskota të dyshimta, thonë se të njëjtat nuk gjenden në tregun tonë

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Një video e cila është shpërndarë në rrjete sociale në të cilën supozohet se brenda një artikulli ushqimor –ëmbëlsirë Luppo 45 gram është gjetur një lloj medikamenti ka ngjallur panik te qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Në video e cila nuk dihet nëse është bërë në Kosovë, shihet një person duke hapur paketimin e këtyre biskotave e për të cilat po thuhet se kanë medikamente të dëmshme për fëmijët.

Ekonomia Online ka kontaktuar me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët kanë thënë se produkti i cili shihet në video nuk gjendet në tregun e Kosovës.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, tha për Ekonomia Online, se në treg janë gjetur produktet tjera me emër të njëjtë, por me përbërës dhe ngjyra të ndryshme.

Ai tha se përbërësit kanë qenë në gjendje të mirë dhe nuk është vërejtur asnjë shenjë fizike apo aromatike dyshuese në produkt.

“Pas shqetësimit të ngritur në publik nga një video e cila është gjiruar në vendet e lindjes për një artikull ushqimor – ëmbëlsirë Luppo 45 gram, se e njëjta gjendet edhe ne tregun e vendit tonë. Inspektorati Sanitar i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme  për të verifikuar produktet me te njëjtin emër të cilat janë ne tregun e Kosovës”.

“Fillimisht produkti i cili shihet në video nuk gjendet ne tregun e Kosovës. Produktet tjera me emër të njëjtë por me përbërës dhe ngjyra të ndryshme nga ato qe shihen ne video janë kontrolluar në mënyrë të  detajuar. Produktet kanë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm qe dëshmon mbi sigurinë e produktit, iu kanë nënshtruar kontrollit kufitar. Nga kontrolli fizik dhe organoleptik i ushtruar nga inspektoret në depon e importuesit, në të gjitha paketimet të cilat janë hapur nuk është gjetur ndonjë medikament siç shihet ne video. Po ashtu përbërësit kanë qenë në gjendje të mirë nuk është vërejtur asnjë shenjë fizike apo aromatike dyshuese në produkt. Janë hapur një numër i madh i paketimeve nga se cila është marrë një mostër e rastit dhe janë hapur për kontroll”.

Sipas tij, importuesi ka ofruar dëshmi se produkti i cili shihet në video nuk ka ardhur asnjëherë në vendin tonë.

“Na është ofruar një deklaratë e prodhuesit ‘’Solen’’ nga Turqia. Produkti qe shihet në video është eksportuar vetëm në Irak.  Po ashtu  dëshmohet se mbi këtë raste është duke u hetuar për origjinën dhe shpërndarësit e videos. Produktet qe kanë dërguar në Kosovës nuk janë të njëjta nga ato qe shihen në video. Ata marrin përgjegjësinë për ketë”, tha ai për EO.

“ Ne si autoritet me i lartë për kontroll të ushqimit ju bëjmë apel  të gjithëve qe mos të shfaqin video të cilat i  gjejnë në internet dhe te aludojnë sikur produktet qe shihen diku në botë të përkthehen sikur janë edhe në Kosovë. Kjo po shkakton me pa të drejt  panik tek qytetaret”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme