Alarmi i ngritur i Bashkimit Evropian për skandalin me vezë të infektuara me insekticidin e dëmshëm “fipronil”, që ka prekur shtatë shtete, nuk i ka shqetësuar autoritetet kosovare.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë për gazetën se Kosova ka më shumë se dy vjet që nuk importon vezë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe se nuk ka vezë të infektuara në territorin e Kosovës. Ai ka thënë se Kosova importon sasi të vogël të vezëve, pasi shumica dërrmuese e tyre janë prodhim vendor. Vendet e vetme nga importohet janë Shqipëria dhe Maqedonia, shkruan sot Koha Ditore.
“Të gjitha ato vezë që importohen dhe ato që janë prodhim vendor u nënshtrohen kontrolleve dhe përmbajnë vulë”, ka thënë Thaçi. Edhe pse ka mohuar të ketë vezë pa vulë, ai ka theksuar se nëse ka të tilla ato janë ilegale.
Ndërsa sa i përket importit nga vendet e Bashkimit Evropian, sipas Thaçit, kjo nuk ka ndodhur për shkak se çmimi i vezëve në këto vende është më i lartë sesa i vendeve fqinje dhe i prodhimeve vendore.