Artistja shqiptare me renome botërore, Ava Max, ka publikuar klipin e saj më të ri.
Bëhet fjalë për videon muzikore të këngës “My Head & My Heart”, e cila është pjesë e albumit të saj më të fundit.
Se është një këngë shumë e pëlqyeshme dhe e kapshme për veshin e publikut, këtë e ka vërtetuar edhe fakti se deri më tani ajo numëronte mbi 10 milionë klikime në kanalin YouTube vetëm në versionin audio.
Në klipin e këngës, Ava Max vjen me një paraqitje mjaft atraktive dhe provokuese, duke mos hezituar të vërë në pah linjat e saj atraktive trupore.
Po ashtu në disa skena, këngëtarja ka realizuar një koreografi interesante rrethuar me shumë statistë, duke i dhënë kështu një kuptim edhe më të veçantë klipit.
“My Head & My Heart” është vetëm një nga këngët e albumit të saj shumë të suksesshëm “Heaven and Hell”, të cilin ajo e publikoi në muajin shtator të vitit të kaluar.
Ava Max në një intervistë ekskluzive për Telegrafin në fillim të këtij viti, foli për atë se sa e lumtur ishte për suksesin që albumi i saj debutues shënoi.
“Heaven & Hell” është një album rreth dualitetit. Bëhet fjalë për tensionin mes së mirës dhe të keqes, së drejtës dhe së gabuarës, mes po-së dhe jo-së. Unë mendoj se të gjithë e ndiejmë atë tension çdo ditë në mënyrën se si veprojmë, atë që themi dhe veprimet që zgjedhim – është një nga ballafaqimet më të mëdha të jetës. Më pëlqen ta ekspozoj atë përmes muzikës time – dhe ju mund ta shihni atë në shumë tituj si: “Sweet but Psycho” apo “Kings and Queens”. Unë dua që muzika ime të jetë himnike dhe fuqizuese dhe kjo është ajo çfarë ka ky album. Unë dua që njerëzit të vallëzojnë. Unë dua që njerëzit të ndjehen të fortë sikur të mund të marrin ëndrrat e tyre në dorë. Kjo është ajo që unë vendos në muzikën time”, ka thënë këngëtarja shqiptare.