Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim kanë paralajmëruar se nuk do të heshtet shkelja e Statutit të UP-së. Ata kanë thënë se në njërën nga seancat do të debatohet çështja e avancimit të jashtëligjshëm të stafit akademik në UP
Çështja e zgjedhjes dhe avancimit të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” do të debatohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim kanë paralajmëruar se nuk do të heshtet shkelja e Statutit të UP-së. Ndërsa, analistët e arsimit thërrasin për një hetim të Rektoratit ku do të përfshiheshin të gjitha palët që kanë përgjegjësi për zgjedhjen e stafit, që nga komisionet vlerësuese e deri tek rektori Marian Dema, që sipas tyre, mban barrën i fundit që nënshkruan kontratat për zgjedhje dhe avancim.
Rektori Dema në një deklaratë dhënë për medie ka shfaqur mosnjohurinë e tij rreth kritereve të zgjedhjes së stafit akademik. “Me sa di unë” si dhe duke iu referuar studimeve bachelor të kandidatëve që kanë kandiduar për asistentë në Fakultetin e Mjekësisë, ai ka treguar hapur se nenet e Statutit për Zgjedhjen e Stafit Akademik nuk janë respektuar (173 dhe ai 178).
“Ai ka kryer studimet në Prishtinë, ku ka qenë student i dalluar, e ajo në Tetovë…”, ka thënë rektori në një deklaratë për RTK-në, duke u arsyetuar rreth rastit të Rozafa Koliqit, specialiste e vetme në Kosovë për Farmaci Klinike, që nuk është zgjedhur asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pavarësisht se recensioni i ishte vlerësuar pozitivisht, kishte vendimin pozitiv dhe votat unanime të Këshillit të Fakultetit, sipas Nenit 173.
Gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur asnjë reagim as nga senatorët e UP-së lidhur me mos votimin e Koliqit për asistente, ndonëse statuti ia jep të drejtën Koliqit të zgjidhej asistente (Neni 178). (Zeri)