Donis Avdijaj është kthyer në formën e tij më të mirë.
Sulmuesi nga Kosova ka filluar të luaj dhe të shënoj gola të rëndësishëm në kampionatin holandez.
Avdijaj iu bashkua skuadrës holandeze Roda JC si huazim nga gjiganti gjerman Schalke 04 për të luajtur sa më shumë.
“Kam qenë i huazuar në Sturm Graz dhe kur u ktheva në Schalke vitin e kaluar kam luajtur mjaftë shumë”.
“Këtë edicion nuk kam luajtur asnjë ndeshje me Schalken. Nuk kishte asgjë mes meje dhe trajnerit dhe nuk ishte një çështje sportive”, ka thënë fillimisht Avdijaj për mediat holandeze.
Djaloshi nga Istogu ka edhe një vit kontratë me Schalken dhe pritet rikthimi i tij në fund të edicionit.
“Kam edhe një vit kontratë me Schalken dhe në fund të këtij edicioni duhet të kthehem aty”, u shpreh Avdijaj.
21-vjeçari zbulon se tri vite më parë sa ishte në grupmoshat e Schalkes kishte oferta nga skuadrat më të mëdha evropiane si Liverpool, Real Madrid, Manchester United e Juventus.
“Kur isha në moshën 18 vjeçare mund të shkoja tek skuadra të mëdha si Real Madrid, Manchester United, Liverpool, Juventus e Manchester City”.
“I refuzova këto oferta pasi doja të qëndroja te Schalke”, ka thënë Avdijaj.
Reprezentuesi i Kosovës ka zhvilluar tetë ndeshje me fanellën e Rodas, ku ka shënuar tre gola dhe ka bërë një asistim.